Rekamë

Zv.kryeministri Erjon Braçe ka hedhur dritë duke zbuluar emrin dhe duke thënë se prokurori i çështjes së Liridon Pulës, drejtor i Kadastrës Shtetërore në Durrës, mbështet një grup kriminal në Durrës.

Edhe Braçe nuk e përmendi emrin, por prokurori i çështjes në fjalë, është Arian Ndoja.

Por kush është Arian Ndoja?

Më 28 janar 2008 është emëruar prokuror në Durrës, pasi ishte liruar nga detyra e prokurorit nga ish-kryeprokurori Theodhori Sollaku. Gjatë kohës që nuk ka qenë prokuror, Ndoja ka bërë avokatin, ku ka mbrojtur edhe Arian Selimin, i akuzuar për trafik ndërkombëtar kokaine. Vitin që shkoi Ndoja u përfol si personi që qëndronte pas rrahjes së avokatit Ilia Ilia, çështje për të cilën u nis hetimi, por ndaj Arian Ndojës nuk u mor asnjë masë.

Sipas deklaratave të pasurisë të pasqyruara në Open Spendig Albania, rezulton se ai ka dhjetëfishuar pasurinë për katër vjet.

Gjatë vitit 2004,  Ndoja deklaron një pasuri prej 20 mijë euro dhe 200 mijë lekë. Dhe pas katër viteve, pikërisht në vitin 2008 ai rezulton me një pasuri mbi 760 mijë euro. Ndoja pretendon se këtë pasuri e ka shtuar gjatë kohës që ka punuar si avokat. Por nga ana tjetër rezulton se Ndoja ka punuar mbi tre muaj si avokat.

Në vitin 2016, Arain Ndoja ka deklaruar se ka në pronësi, 21 apartamente që ndodhen në Shëngjin, 3 bodrume, pemëtore dhe një ndërtesë truall në Krujë, të cilin thotë se e ka fituar me vendim gjykate pasi pronari i kishte borxhe.