Kullat prej balte që i rezistuan çdo tërmeti
Teksa në vendin tonë vihet në pikëpyetje cilësia e ndërtimeve të reja, ato që u ndërtuan disa dekada më parë vijojnë të qëndrojnë në këmbë të palëkundura. Këtu nuk bëhet fjalë për ndërtime me hekur e beton, por ndërtime totalisht me baltë dhe dru. Të tilla janë shumë nga banesat e këtij lloji në zonën e Dibrës por edhe Bulqizës. Ata u ndërtuan shumë dekada më parë, atëherë kur hekuri dhe çimentoja ishin me pakicë, por edhe kushtonin shumë. Zgjidhja e banorëve të zonës ishte ndërtimi i kallëpeve të baltës të cilët vendoseshin më pas në formën e tullave të sotme. Por kjo rezultoi shumë efikase jo vetëm për temperaturën e brendshme të banesës, por edhe atë të jatshmen.
Lutfi Veli banor i fshatit Kovashicë në Njësinë Administrative Maqellarë në Dibër, tregon se banesa që ndërtoi babai i tij shumë vite më parë i ka rezistuar çdo tërmeti. Ajo vijon të qëndrojë në këmbë, ndonëse është totalisht prej balte dhe druri.
Banesa të tilla i gjen thuajse në çdo fshat të Bulqizës e Dibrës dhe arsyet e ndërtimit të tyre me këtë lloj materiali kanë qenë për shkak të kostos më të lirë.