KS Burreli distancohet nga akuzat për racizëm ndaj lojtarit Arnold
Prej dy ditësh në rrjete sociale apo media të ndryshme qarkullon një akuzë publike për racizëm ndaj një lojtari të skuadrës së futbollit “Burreli”, gjatë një interviste të tij në një rubrikë sportive në RTSH nga moderatorja Hygerta Sako.
Ndërkohë, Klubi Sportiv Burreli ka reaguar zyrtarisht duke u distancuar nga publikimet e disa faqeve të ndryshme në rrjete sociale apo portale.
Drejtori i Klubit Sportiv Burreli, Klevis Gjoka ka deklaruar se “distancohet nga akuzat për racizëm në drejtim të RTSH, në lidhje me episodin gjatë intervistës së lojtarit të skuadrës tonë, Arnold Siaw në emisionin “Supergol” me moderatoren Hygerta Sako. KS Burreli bën të ditur se asnjë nga reagimet nga faqet në rrjetet sociale me emrin e klubit, nuk është i faqes zyrtare të klubit, dhe në këtë mënyrë nuk përfaqëson qëndrimin e klubit.
Pasi ka analizuar rastin disa herë me vëmendje në versionin integral të intervistës KS Burreli konstaton se nga drejtues apo moderatorja e emisionit në asnjë nga komentet e bëra nuk përmenden komente me nuanca racizmi apo diskriminimi ndaj lojtarit të skuadrës tonë” – thotë në deklaratën e tij Gjoka.
Mes moderatores së emisionit dhe vetë lojtarit të Burrelit Arnold pati një përballje televizive ku gjithçka u sqarua dhe se incidenti ishte keqinterpretuar apo sajuar nga persona të papërgjegjshëm.