
Kryeministri Edi Rama ka shkuar në shtëpinë e Klodian Rashës, të riut që u vra nga policia dy ditë më parë. Mediat raportojne e se Rama ka rreth 15 minuta që ndodhet në shtëpinë e të riut. Ai gjithashtu ka komunikuar se do të ketë një njoftim zyrtar për qëndrimin e tij në orën 18:00.
Ngjarja e rëndë ndodhi dy ditë më parë në Laprakë, kur efektivi qëlloi dy herë me armën e shërbimit të riun, pasi nuk pranoi të ndalonte kur i bëri thirrje. Klodian Rasha u qëllua në kokë dhe në shpinë sipas ekspertizës paraprake dhe ka ndërruar jetë në vendngjarje. SHCBA e akuzon atë për vrasje në rrethanat e tejkalimit të mbrojtjes së nevojshme.
Vrasja ka hapur një valë zemërimi dhe inati ndaj qeverisë dhe ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, ku dje në Tiranë u zhvillua një protestë masive. Qindra të rinj, të palidhur me asnjë parti politike, kërkuan dorëheqjen e ministrit, ndërsa nuk munguan as përplasjet me efektivët që ishin lënë në terren për të menaxhuar mbarëvajtjen e protestës.