Kryeministri Rama Paralajmëron Nismë Ligjore pas Pezullimit të Zv/Kryeministres
Kryeministri Edi Rama ka komentuar rastin e pezullimit nga detyra të zv/kryeministres Belinda Balluku, duke paralajmëruar ndërmarrjen e një nisme ligjore pas asaj që e cilësoi si “mosmarrje e një vendimi nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë”. Rama deklaroi se çështja nuk lidhet me individin, por me parimin e ndarjes së pushteteve kushtetuese. Sipas tij, vendimi gjyqësor për pezullimin e një ministri si masë sigurie penale ka nxjerrë në pah një boshllëk ligjor dhe institucional. Ai shtoi se në një sistem pa kulturë të konsoliduar demokratike, përveç frymës së Kushtetutës, nevojitet edhe përcaktim i qartë ligjor, duke qenë se drejtësia në vend është e pavarur, por ende në një moshë shumë të mitur. Kryeministri theksoi se gjykatat kanë të drejtë të vendosin masa sigurimi për çdo person nën hetim, por shtoi se disa funksione shtetërore, si ai i ministrit, paralizohen nëse titullari pezullohet nga detyra. Sipas Ramës, pezullimi i ministrit prodhon në praktikë të njëjtin efekt me shkarkimin, pasi nuk pezullohet thjesht personi, por funksioni. Ai argumentoi se emërimi dhe shkarkimi i ministrave janë kompetenca ekskluzive të ekzekutivit, dhe se kjo kompetencë nuk mund t'i takojë një prokurori apo gjykatësi. Rama u shpreh se drejtësia duhet të jetë e pavarur dhe aktualisht është e tillë, por theksoi se pavarësia e pushtetit gjyqësor mbaron aty ku fillon pavarësia e dy pushteteve të tjera, legjislativit dhe ekzekutivit. Këto të fundit, sipas tij, kanë të drejtën dhe detyrën të emërojnë apo të shkarkojnë ministra, dhe kjo e drejtë nuk ndahet me gjyqësorin. Ai njoftoi se, pas mosmarrjes së një vendimi nga Gjykata Kushtetuese për rastin konkret, do të depozitohet një nismë ligjore për të adresuar “boshllëkun e konstatuar”. Nisma do të dorëzohet të hënën në cilësinë e deputetit nga Kryeministri, në bashkëpunim me kreun e grupit parlamentar Taulant Balla dhe kryetarin e Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja. Procesi do të jetë transparent, pasi nisma do t’i paraqitet fillimisht grupit parlamentar dhe prezantimi i saj do të bëhet në prani të mediave.