Kryeministri Edi Rama, këtë të enjte është ndalur në Burrel, në kuadër të fushatës elekorale për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, ku ka prezantuar paketat sociale që qeveria shqiptare ofron. Kreu i qeverisë tha se gjatë viteve të fundit, Burreli është kthyer në një nga zonat më të kërkuara duke nënvizuar se ka një program ambicioz për strehimin.
Rama: Kjo zonë ka malet dhe ka pyjet e mahnitshme…Ky qytet nuk njihet më në krahasim se me çfarë ishte. Burreli është kthyer në një nga zonat më të kërkuara. Kam shumë besim që do të kemi një impakt të rëndësishëm me programin e strehimit social.
Rama u ndal te politikat sociale që ka qeveria në rast se do të fitojë mandatin e katërt më 11 maj. Synimi kryesor është që pensioni minimal të shkojë 200 euro, ndërsa ai mesatari në 400 euro.
Rama: Nuk përmenden që ka pensione që janë 500 mijë lekë. Ndërkohë që të tjerët për të njëjtat vite punë, për të njëjtën punë, që ka dalë në pension përpara reformës marrin pension 200 mijë lekë. Pse? Sepse nuk u bë politikë pensionesh. U bë çmenduri. U nxorën njerëzit në pension që 40 vjeç. U vu një tavan, nuk kishte më rëndësi për sigurime shoqërore. Këta që janë në shtresën, kategorinë e viktimave të këtyre madhështorëve. Të ketë pasur Naltmadhninë dhe të votosh Kujtim Gjuzin. Ata e bënë këtë. Bonuset janë rritur në mënyrë të ndjeshme. Kemi dhënë 160 mln euro, cash për pensionistët. Nuk janë pak për këtë shtet, por as shumë për ta. Do synojmë që pensionin minimal ta çojmë 200 euro dhe mestararin 400 euro. Në fund të ditës kjo është një histori lekësh.
Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama nga Burreli deklaroi se rruga e re e Arbrit jo vetëm ka përmirësuar jetën e banorëve të zonës, por ka rritur vlerën e pronës.
“Me rrugën e Arbrit, një lidhje e shkurtër me Tiranën me transformimet në qytet dhe natyrën e jashtëzakonshme që ka përreth nuk është e ekzagjeruar që të imagjinosh që në 5-6 vjet, kjo zonë do të jetë një nga zonat më të kërkuara të kryeqytetit. Duket si fantazi por nuk është fare”, tha Rama.
Gjatë takimit në Burrel lideri i mazhorancës Edi Rama pranoi problemin e pensioneve të ulëta, duke shpjeguar se Partia Demokratike në qeverisje nuk hartoi politika për pensionet, për më tepër PD vendosi edhe rregulla që nuk lejonin marrjen e një pensioni më të lartë se 200 euro.
“Megjithatë ne jemi munduar të kompensojmë me bonuset, vetëm dhjetor dhe shkurt kemi dhënë 160 milionë euro për pensionistet, do të synojmë që pensioni minimal ta çojmë drejt 200 euro, ndërkohë mesatarin ta çojmë tek 400 euro”, tha Rama.
Kryeministri premtoi një politikë të re për nxitjen e punësimit, veçanërisht për vajzat e gratë. Sipas Ramës edhe programi i bonusit të bebes do të rikonceptohet dhe do të aplikohen pagesa mujore e kush ka më shumë fëmijë do të marrë ndihmë më të madhe.
Por premtimi kryesor i Edi Ramës dhe Partisë Socialiste është anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian në vitin 2030.
“Këto zgjedhje janë; a je për ta futur Shqipërinë në BE në 2030 apo s’je. Dikush mund të thotë jam unë por jo me Edi Ramen. Nuk bëhet. Është e thjeshtë, nuk bëhet”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama ka premtuar në këtë fushatë elektorale përfundimin e negociatave në vitin 2027 dhe anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në BE në vitin 2030.