Ditën e Mërkurë rreth orës 17:00 gazetari investigativ Artan Hoxha publikoi një video ku sipas tij dallohej Kryetari i Bashkisë së Bulqizë, dalë nga zgjedhjet e 30 Qershorit të vitit të kaluar, duke marrë kokainë në një lokal.
Vetëm pak orë më pas, Partia Demokratike nëpërmjet ish deputetit të saj Ervin Salianji doli në një deklaratë për shtyp ku kërkoi shkarkimin e Allës. Ky i fundit fillimisht reagoi duke mohuar që ai të jetë në këtë video.
Kryebashkiaku i Bulqizës ju shmang prononcimit për median dhe pak orë më vonë reagoi në rrjetin social Facebook.
Në statusin e tij Alla e quajti videomontazh, duke e etiketuar si seria e radhës së “Babales”. Kryebashkiaku i Bulqizës tha se PD është bërë bashkë me grupe biznesi e kriminale për të montuar këtë video e për ta shantazhuar.
Por të enjten në mëngjes, Prokuroria e Posaçme Anti-korrupsion njoftoi nisjen e hetimeve për Lefter Allën si i dyshuar që ka konsumuar nenin 283 të Kodit të Procedurës Penale.
Pak orë më vonë, Lefter Alla doli me një tjetër status në rrjetin e tij social Facebook, ku deklaroi se është nisur drejt Tiranës për të bërë padi ndaj ish deputetit të Partisë Demokratike Ervin Salianji. Gjithashtu në këtë status Alla thotë se ka patur dijeni për këtë video prej një viti. Po ashtu, kryebashkiaku Alla kërcënon me padi këdo që e akuzon për këtë vepër.
Megjithatë deklarimet e deritanishme të Allës duken kontradiktore, ku fillimisht mohoi të jetë ai në video, më pas e quajti atë një montazh dhe në reagimin e fundit, tregoi që ka patur dijeni për videon në fjalë prej një viti. Por pikëpyetjet mbeten, nëse ai nuk ishte në këtë video, pse më pas e quajti atë video montazh dhe në fund deklaron se ka patur dijeni për të dhe nuk e ka denoncuar në organet përkatëse?!