Rekamë

Një ndër tre familjet që humbën të afërmit e tyre një ditë më parë në një galeri minjere në zonën e Selishtës në Dibër ishte edhe familja Rushiti nga Bulqiza. 33 vjeçari Rexhep Rushiti, mbeti i bllokuar bashkë me inxhinierin Ismail Hoxha dhe kolegun tjetër Fatos Çesku. Por dhimbja në familjen Rushiti është shumë e madhe. Brenda pak viteve, kjo familje ka humbur tre pjestarë të cilët punonin me mineralin e kromit. Njëri nga vëllezërit e Rexhepit dhe nëna e tij humbi jetën teksa punonte në seleksionimin e kromit, ku u shtyp nga një mjet i rëndë, ndërsa në fund ishte Rexhepi, të gjithë punonin në të zezë. Dhimbja në këtë familje është shumë e madhe pasi bashkëshortja dhe tre fëmijët kanë mbetur në mëshirë të fatit. Irena Rushiti gruaja e Rexhepit thotë se nuk ka asnjë mundësi ekonomike të mbajë fëmijët. Në portofolin e të ndjerit është gjetur vetëm libreza e energjisë elektrike dhe asnjë lekë në të.
Edhe të afërmit kërkojnë ndihmën e instancave shtetërore që fëmijët jetim të mos ndjejnë urinë e bukës, pasi tashmë nuk kanë asnjë lloj të ardhure.
Familjet Hoxha në Dibër, Rushiti e Çesku në Bulqizë kanë hapur dyert e mortit, ku edhe pse në situatë pandemie, presin ngushëllime nga rrethi familjar i ngushtë.