
Për herë të parë në ekipin e Burrelit ka debutuar një futbollist shqiptar i Kosovës. Trajneri Samuel Nikaj gjatë merkatos së verës, arriti të marrë pranë tij sulmuesin Alban Rexhepi i cili ka luajtur në ekipe të superligës së Kosovës, por edhe në vendin tonë. Për Rexhepin kjo nuk është hera e parë që luan në kampionatin shqiptar pasi ai ka qenë pjesë edhe e ekipit të Laçit. Por për gjilanasin ardhja në Burrel tregon shumë për të. Ai jo vetëm e njeh trajnerin me të cilin stërvitet, por këtu ka gjetur një mikëpritje të madhe e nisur nga këto, ndjehet shumë mirë. Alban Rexhepi shënoi dy gola në përballjen me Veleçikun e Koplikut duke startuar me këtë dopietë që në ndeshjen e parë me fanellën matjane. Ai shpreson që objektivi i Burrelit të realizohet dhe se vetë do të japë maksimumin e tij. Në një intervistë për Panorama Sport, Rexhepi shprehet se me këtë ekip, Burreli do të arriqjë qëllimin, të jetë pjesë e elitës së futbollit në Shqipëri.
“Kjo është hera e dytë që unë bëhem pjesë e kampionatit të futbollit në Shqipëri. Hera e parë ishte të Laçi kur unë isha 18 vjeç në vitin 2015, por atëherë nuk pata fat. Ndërsa këtu në Burrel kam filluar siç është më së miri me dy gola. Këtu më kanë pritur mjaft mirë dhe po ndihem si në Gjilan, e vlersoj shumë këtë pritje.
Ftesën për tu bërë pjesë e Burrelit e prita me entuziazëm nga trajneri Samuel Nikaj me të cilin që kishim dalë kampion në Kosovë me Kf Vushtrin. Kur u informova se i njëjti qëllim është edhe tek Burreli, erdha me qejf dhe shpresoj të na ecë mbarë.
Ekipi i Burrelit përveç se ka lojtarë cilësorë ka edhe drejtuesit mjaft korrekt dhe mbi të gjitha ka grupin e bashkuar që është gjeja me kryesore në futboll. Besoj shumë te grupi që do të bëjmë më të mirën jo vetëm për rezultat por që t’i gëzojm tifozët matjan në fund të sezonit me ngjitjen në superligë. Këtu ka ndryshim të madh me atje si nga cilësia e infrastruktura. Këtu fushat janë më të mira dhe ekipet luajn taktikisht më mire se atje dhe ritmi lojës është më i lartë.
Ishte fantastike dhe emocion i madh për mua që të shënoja që në ndeshjen e parë e madje dopietë. Shpresoj shumë të vazhdoj me këtë ritëm dhe premtoj maksimumin dhe shumë gola të tjerë” – tha Rexhepi.
Trajneri Samuel Nikaj e ka besuar sulmin e skuadrës matjane në dy emra atë të shkodranit Jasmin Raboshta dhe gjilanasit Alban Rexhepi.