Korabi ngel pa trajner, Dalipi largohet në mes të sezonit

Korabi ngel pa trajner, Dalipi largohet në mes të sezonit

Klevis Dalipi nuk do të jetë më në krye të Korabit për pjesën e mbetur të sezonit në Kategorinë e Parë. Tekniku, ka njoftuar dorëheqjen nga ekipi që ishte në vendin e tretë me 16 pikë, katër pikë larg Dinamos së vendit të parë. Në njoftimin për largimin nga stoli i dibranëve vetë Dalipi njofton për fillimin e një projekti të ri, por nuk e tregon atë.

Njoftimi i Korabit, së bashku me mesazhin e Dalipit:

Falenderojmë Klevis Dalipin për kontributin dhe punën e bërë deri sot tek K.F Korabi, mëposhtë është mesazhi i tij i plotë:
“Të nderuar miq, bashkëpuntorë dhe sportdashës dibran!

Për gati 1 viti kam qenë në krye të klubit futbollistik “Korabi” si trajner i ekipit, dhe mendoj se besimin e dhënë e kam shpërblyer me punë dhe përkushtim maksimal në drejtimin e konsolidimin e kësaj skuadre që premton shumë në të ardhmen.
Rezultatet e arritura në kampionat dhe Kupë, përzgjedhja e afrimi i lojëtarëve të rinj me shumë potencial, janë dëshmi e një ecurie mjaft të mirë të klubit përgjatë këtij viti, edhe pse me vështirësitë e veta në ndeshje e momente të caktuara.
Sot, më duhet të ndaj me ju, largimin tim nga drejtimi i “Korabit” për një sfidë tjetër profesionale…

Ka qenë një eksperiencë mjaft pozitive dhe largohem i kënaqur për çfarë kemi arritur gjatë sezonit të kaluar dhe gjatë këtij gjysmë sezoni me “Korabin”.

Jam i bindur që kjo skuadër që kemi ndërtuar: kompakte, ambicioze, me energji të reja, si dhe me suportin e nevojshëm financiar, do të shkojë aty ku e meriton.

Duke shpresuar në mirëkuptimin e këtij vendimi, gjej rastin të falenderoj jashtë mase për besimin dhe mbështetjen e pakursyer si për mua si trajner, ashtu edhe për të gjithë klubin futbollistik “Korabi”, presidentin e ekipit dhe njëherazi Kryetarin e Bashkisë Dibër, Dionis Imeraj., administratorin Z. Meziu.

Njëkohësisht shpreh falenderimet e mia për bashkëpunimin korrekt dhe respektin karshi meje, stafin, lojëtarët, si dhe gjithë tifozerinë e zjarrtë dibrane për mbështetjen e jashtëzakonshme morale që i dhurojnë skuadrës në çdo ndeshje.
Faleminderit dhe Suksese më tej “Korab”!”.