
Në kuadër të 100-vjetorit të luftës së Dibrës kundër pushtuesve serbë dhe veçanërisht betejës së Lan Lurës, bashkia e Dibrës në bashkëpunim me muzeun e qytetit organizoi aktivitetin në formën e një konference shkencore me temë: “100-vjetori i luftës së Dibrës kundër pushtuesve serbë”.
Ky event u hap me Himnin e Flamurit, si dhe Himnin e Djelmnisë Dibrane kënduar nga dy mjeshtrat e mëdhenj të muzikës shqiptare, Kastriot Tusha dhe Arif Vladi.
Morën pjesë dhe referuan kumtesat e tyre, akad. Shaban Sinani “Lufta e Dibrës në kujtimet e Ismail Strazimirit”; Prof. Adem Bunguri “Barbarizmat serbe në Dibër në vitet 1913-1921”; Prof. Bajram Xhafa “Pse zgjati 9 vjet Lufta e Dibrës?”; Prof. ass. dr. Moisi Kamberi “Kuvendi i Arrasit dhe Beteja e Lan Lurës” (referoi Miranda Çiku); Dr. Dritan Murrja “Krijimi i Prefekturës së Drinit për shtrirjen e administratës dhe mbajtjen e zgjedhjeve”; Zabit Lleshi “Gryka e Vogël në luftën kundër serbëve në vitet 1912-1921”; Xhafer Martini “personaliteti i Elez Isufit” (referoi Hysen Uka); Haki Përnezha “Kontributi i çidhnakëve në vitet 1912-192″.
Kryetari i Bashkisë Dibër, Shkëlqim Murrja në fjalën përshëndetëse falënderoi pjesëmarrësit, profesorët e nderuar për kumtesat, si dhe dy historianët Haki Përnezha dhe Mustafa Tola për bashkëpunimin në organizimin e këtij aktiviteti.