Prurjet e mëdha të përroit në fshatin Komsi në Bashkinë e Matit po rrezikojnë dy banesa në afërsi të Njësisë Administrative.

Tejfryerja e përroit ka bërë që shembja e dheut të shkojë në afërsi të banesave të banorëve Rasim Dishani e Adem Koka.

Për të parë nga afër situatën ishin të dielën specialist të emergjencave civile në Bashkinë Mat, zëvendëskryetari Myslym Zeneli, nënprefekti i Matit Hasan Pasha, kryetarja dhe zëvendëskryetari i Këshillit të Bashkisë Mat, Elisa Gjasta e Luftim Vani dhe drejtues të Njësisë Administrative Komsi.

Zgjerimi i shtratit të këtij përroi ka shkatuar vazhdimisht probleme tek banorët e Komsisë dhe Muzhakës. Ndërkohë pas njohjes me situatën, Bashkia e Matit pritet të ndërhyjë menjëherë për të shmangur dëme të tjera që mund të vijnë si pasojë e shembjes së tokës.