Shqipëria ka mundur sot Kazakistanin me rezultatin 3-1 dhe është ngjitur e dyta me 8 pikë në grupin C4 të Ligës së Kombeve. Bjellorusia ndërkohë mundi Lituaninë me rezultatin 2-0 dhe renditet e para me 10 pikë. “Finalja” për vendin e parë në grupin tonë mes Shqipërisë dhe Bjellorusisë do të luhet të mërkurën në orën 16:00 në “Air Albania”.
Kuqezinjtë kaluan të parët në avantazh me Cikalleshin në minutën e 16-të pas një krosimi perfekt të Memushajt. Më pas dyfishuan shifrat në minutën e 23-të pas një rrëmuje në zonë me Ismajlin, por nuk arritën dot as të festonin për golin e dytë, sepse Kazakistani shënoi një minutë më pas nga mesi i fushës duke shtangur Berishën, që jo vetëm ishte pozicionuar keq në atë moment, por as që e kishte menduar një “rreng” të tillë nga kundërshtarët.

Goli i vitit mund të quhet ai, por kjo gjithsesi nuk i pengoi kuqezinjtë që të zhvillonin një ndeshje të mirë në tërësi. Në pjesën e dytë Shqipëria shënoi sërish me anë të Manajt, i cili shndërroi në gol një penallti të fituar me “dhunë” nga Amir Abrashi. Ky i fundit ishte padyshim një ndër më të mirët në fushë.

Vlen për t’u theksuar se kjo ishte një ndeshje e interpretuar mirë nga skuadra e drejtuar prej Edi Rejës. Agresiviteti në sulm për topin e parë dhe vendosja shkurt e skuadrës, duke mos pasur vazhdimisht një qarkullim të mirë të topit, ndihmuan ekipin që minutë pas minute të fitonte besim në vetvete dhe të ishte dominues në fushë.