
Kolonia e karkalecave agresiv ndaj shumë bimëve ka mbërritur edhe në Mat. Ndonëse rastet mbeten të izoluara, prania e tyre është parë në zonën e Kongrazhdit ku ka të mbjella me grurë, tërshërë, thekër etj. Por prania e karkalecit është parë edhe në zona të tjera si në fshatin Batërr të Njësisë Administrative Komsi në Bashkinë Mat. Doktori i Shkencave Bujqësore, Qatip Doda shprehet se karkaleci i gjelbër është më i përhapuri dhe se prek kultura të shumta bujqësore duke nisur që nga gruri, elbi, thekra, e misri deri tek perimet apo pyjoret.
Ish Drejtori i Drejtorisë së Ekstensionit Bujqësor për Qarkun Dibër, Qatip Doda shton se e vetmja mënyrë e luftimit të këtij insekti është me anë të spërkatjes së zonës së infektuar. Sipas tij, para afro 12 vitesh është infektuar i gjithë qarku i Dibrës dhe dëmi ishte shumë i madh kryesisht në të mbjellat me grurë.
Për të minimizuar dëmin nga karkaleci jeshil, një tjetër sugjerim i ekspertëve është përshpejtimi i korrjes, sidomos tek të mbjellat ku gruri është i pjekur.