Koçaj, fshati që po braktiset çdo ditë
Fshati Koçaj në Bulqizë po përjeton largimet masive të banorëve të tij. Rinia është larguar prej vitesh, ndërsa sëfundmi kanë tërhequr edhe prindërit, duke i kthyer banesat atje në të shkreta dhe pa asnjë banorë brenda. Të pakët janë ata që vazhdojnë të jetojnë në këtë fshat por që nuk premtojnë se nuk do të largohen prej aty. Islam Çupi tregon se prej vitesh fshati i tij po përballet me largime masive, ndërsa ata që kanë ikur kanë lënë shtëpia e toka. Më shumë se 50% e fshatit është larguar, ndërsa drejt largimit janë edhe familjet e tjera.
Naim Çupi shprehet se vetëm mosha e tretë ka mbetur ende në fshat dhe ata janë me pakicë. Ai shton se nuk ka asnjë shans që të rinjtë e larguar të lënë emigracionin e të rikthehen në vendlindjen e tyre pasi ju ka humbur shpresa e besimi që mund të kenë një të ardhme të mirë.
Fshati Koçaj është ndër fshatrat më të afërt me qytetin e Bulqizës, por mungesa e investimeve e ka bërë shumë të largët dhe të braktiset nga të gjithë.