Rekamë


Familja Çipi nga fshati Fullqet i Bashkisë së Klosit vijon të përmbytet sa herë ka reshje shirash. Banesa e kësaj familjeje po përballet me këtë fenomen prej vitesh. Sami Çipi thotë se për shkak të bllokimit të kanaleve kulluese të rrugës apo atyre vaditëse, uji vërshon në banesën e tij duke e rrezikuar atë edhe si konstrukt. Samiu tregon se problemin e tij e ka ngritur edhe në pushtetin vendor prej vitesh, por askush nuk e ka zgjidhur.
Jo vetëm kaq, kryefamiljari Çipi thotë se kanali prej betoni por pa themele që kanë ndërtuar për të pritur e grumbulluar ujërat, i ka penguar edhe hyrjen në banesë. Edhe një tentativë që ai ka bërë për të zhbllokuar hyrjen për në shtëpinë e tij ka rezultuar të ketë probleme me ligjin.
Për shkak të kësaj problematike, Samiu thotë se nuk ka më siguri as në banesën e tij pasi ujërat e dimrit, apo ato vaditëse gjatë verës po e rrezikojnë të shembin totalisht banesën e tij.