Klos. Riparohet kanali vaditës i Kurqelajve, uji shkon tek tokat bujqësore

0

Bashkia e Klosit ka zgjidhur problemin e vaditjes në fshatin Kurqelaj të Njësisë Administrative Suç. Tre ditë më parë banorët e këtij fshati u ankuan për vonesën e ujit vaditës për të mbjellat, vonesë e cila sipas tyre ka ardhur nga mosndërhyrja në kohë e pushtetit vendor për ta vënë në efiçencë këtë vepër vaditëse.
Ndërkohë drejtues të Bashkisë Klos, thanë se riparimi i shembjes që kishte pësuar kjo vepër vaditëse është përfunduar dhe se e gjithë sasia e ujit është në kanal, duke ju shërbyer gjithë banorëve të fshati që nga lagjja “Kap” e deri në fund.
Banorët u ankuan se ndërhyrja u bë me vonesë nga ana e pushtetit vendor, ndërsa përfaqësuesit e këtij të fundit, thanë se vetë banorët nuk janë treguar bashkëpunues, duke mos kontribuar aspak në pastrimin e kësaj vepre vaditëse e cila historikisht është pastruar nga vetë ata.
Gjithsesi e rëndësishme është që të mbjellat në kultura të ndryshme bujqësore si në perime ashtu edhe në pemtari e vreshtari, do të kenë vaditje këto ditë të nxehta.