Rekamë

Klos – Qaf Bualli pjesë e rrugës nacionale Skuraj – Peshkopi po bëhet po aq problematik sa aksi Burrel – Skuraj. Në këtë rrugë për të cilën janë dhënë qindra miliona lekë për mirëmbajtje, nuk po vë dorë askush. I vetmi investim i bërë në të është ai i barrierave metalike anësore, ndërsa asfalti vijon të degradohet çdo ditë e më shumë. Në të gjithë gjatësinë e kësaj rruge ka prani të gropave, ndërsa me shqetësuese situata është në fshatin Kloskatund. Në këtë pjesë rruga ka çeduar duke e bërë asfaltin të duket si valë deti. Por për drejtuesit e mjeteve e kryesisht ata që lëvizin për herë të parë, kjo është shumë e rrezikshme pasi është burim i pastër aksidentesh. Drejtuesit e mjeteve shprehen se minimum që duhej bërë ishte të vendosej sinjalistikë paralajmëruese që nga larg, në mënyrë që ata që nuk e njohin terrenin të mos përballen me befasi. Për automjetet e vogëla kalimi në këtë pjesë të dëmtuar të rrugës është pothuajse i pamundur, ndërsa në shumë raste mjetet dëmtohen si pasojë e kontaktit me asfaltin.