Klos / Përplasje mes banorëve dhe kompanisë ndërtuese për HEC-in “Doma”

Klos / Përplasje mes banorëve dhe kompanisë ndërtuese për HEC-in “Doma”

Punimet për ndërtimin e HEC-it “Doma” në zallin e Lusës, në njësinë administrative Suç të Bashkisë Klos, kanë sjellë sërish përplasje mes banorëve dhe kompanisë ndërtuese “Global Interprise Group”.

Këtë të hënë, rreth orës 7 të mëngjesit, kompania ka mbërritur me mjetet e saj për të vijuar punimet në kantier. Një grup banorësh të fshatit Kurdari u kanë bërë rezistencë punonjësve, duke tentuar të ndalin nisjen e punimeve. Pas njoftimit të bërë nga drejtuesit e firmës, forcat e Komisariatit të Policisë Mat kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë shoqëruar disa prej banorëve në komisariat.

Në mbështetje të personave të shoqëruar, dhjetëra banorë të njësisë administrative Suç u mblodhën para Komisariatit të Policisë Mat, duke protestuar për lirimin e bashkëfshatarëve të tyre.

Drejtues të kompanisë ndërtuese të HEC-it në ujin e Lusës, thanë për median se disponojnë dokumentacionin e plotë ligjor për vijimin e punimeve dhe kërkojnë mbështetje nga institucionet përkatëse për realizimin e projektit.

Nga ana tjetër, banorët e njësisë Suç shprehen se do të vazhdojnë rezistencën për të mos lejuar shfrytëzimin e ujit të Lusës për ndërtimin e HEC-eve, duke e cilësuar atë si burim jetik për zonën.