
Familje që jetojnë në kushte ekstremisht të varfra gjen kudo, por kur ata janë të vendosur në një terren tërësisht malor dhe thuajse të izoluar, gjendja e tyre është vërtetë shumë e rëndë. Ky është çifti i të moshuarve Ali e Mine Keta nga fshati Xibër – Murrize i Njësisë Administrative Xibër në Bashkinë e Klosit. Këta dy të moshuar jetojnë në një dhomë që nuk plotëson as kushtet më bazike për një jetë normale. Siç duket nga pamjet, kjo hapsirë është gjithçka kanë dhe të kthen pas në kohë, shumë para viteve 90-të. Si të mos mjaftonin këto kushte çnjerëzore, banesa e tyre është dëmtuar edhe nga tërmetet ai i Nëntorit të vitit 2019 dhe i fundit i rënë pikërisht në këtë zonë me 21 Shtator të vitit të kaluar. Këta dy të moshuar, jo vetëm që nuk kanë kushte, por banojnë në një objekt të rrezikshëm në këtë stinë të acartë. Aliu dhe Mineja tregojnë se marrin vetëm 3 mijë lekë të rinj ndihmë ekonomike dhe se nuk kanë asnjë të ardhur tjetër. Madje Mineja vuan nga një sëmundje e rëndë, kurimi i sëcilës kushton shumë. E me gjithë problemin shëndetësor, ajo kërkon vetëm një dhomë të sigurtë.
Kryetari i fshatit Xibër – Murrize, Adnan Mema thotë se për banesën e dëmtuar është vënë në dijeni Bashkia e Klosit. Specialistët e Mbrotjes Civile në këtë bashki e kanë verifikuar gjendjen në vend, por deri tani nuk është bërë asgjë për ta.
Sytë e këtyre të moshurave janë nga shteti, e kushdo që ka mundësi për ta ndihmuar, ndërsa luten që qielli të kthjellohet e shiu të mos ju futet më në banesë.