
Teksa temperaturat kanë arritur në maksimum, nevoja për vaditje në zonat rurale është shtuar. Banorët e fshatit Gurrë e Madhe në Bashkinë Klos thonë se uji vaditës ëhtë i pamjaftueshëm për të mbjellat e tyre. Naim Lela shprehet se situata me vaditjen ka qenë vazhdimisht problematike për shkak se nuk ka ujë të mjaftueshëm për vaditje. Ai tregon se me grafikun që është vendosur, ndarja bëhet 10 minuta për çdo pjestar familjeje. Por sipas tij, ky nuk është problemi i vetëm me të cilin përballet banorët e Gurrës së Madhe. Një tjetër problematikë është edhe infrastruktura rrugore. Rruga e këtij fshati bëhet vazhdimisht me gropa për shkak edhe të terrenit në të cilin ndodhet. Banorët kërkojnë ndërhyrje dhe përmirësim të kushteve të jetesës.
Problemet me vaditjen janë të shpeshta gjatë stinës së verës për shkak edhe të shterrimit të burimeve ujore. Por problem i mbartur mbetet kanalet vaditëse që vihen në funksion me vonesë ose nuk kanë kapacitetin e mjaftueshëm për tokat bujqësore.