Klos / Fëmijët i “arratisen” vapës, dynden në lumenj e zalle
Temperaturat e larta të ditëve të fundit kanë shtyrë nevojën e ambjenteve të freskëta, ndërsa shumë qytetarë i drejtohen plazheve, fëmijët e bashkisë Klos kanë gjetur tjetër zgjidhje. Një pjesë e mirë e tyre i kalojnë orët e nxehta të drekës në freskinë e lumit Mat apo të zallit që vjen nga fshati Xibër – Hane e që bashkohet në Klos me lumin e Matit.
Pastërtia dhe uji i freskët i mban të mbërthyer të rinjtë e fëmijët për të përballuar orët e pikut të vapës.
Ndërkohë, mjekët këshillojnë që të tregohet kujdes me ekspozimin në diell qoftë edhe në vende ku ke mundësi të lahesh si në plazhe pranë detit apo në lumenj.
Shqetësimet e mjekëve janë për personat që vuajnë nga sëmundje kronike, fëmijët e vegjël si dhe të moshuarit. Megjithatë, përballimi i vapës nën freskinë e ujit të lumit është një nga opsionet më të mira për të kaluar ditët e nxehta të korrikut.