Klos, banorët e Kurdarisë vijojnë rezistencën

Klos, banorët e Kurdarisë vijojnë rezistencën

Banorët e Njësisë Administrative Suç në Bashkinë e Klosit kanë vijuar rezistencën e tyre për të ndaluar ndërtimin e hidrocentraleve në përroin e Lusës. Edhe këtë të mërkurë banorët ndaluan mjetin e kompanisë Doma në fshatin Kurdari. Edhe pse në mbështetje të kompanisë ishin efektiv të Postës Policore Klos e të shqiponjave nga Drejtoria Vendore e Policisë Dibër, banorët nuk lejuan makinën e kompanisë të shkojë në kantierin e ndërtimit. Banorët deklarojnë se do të vijojnë rezistencën e tyre pa kompromis dhe i kërkojnë kompanisë të heqë dorë nga ndërtimi i hidrocentralit, të cilin thonë ata nuk do ta lejojnë edhe nëse paguajnë çdo çmim. Gjithashtu, banorët i bëjnë apel institucioneve vendore e qëndrore që të anullojnë lejen e dhënë për ndërtimin e disa hidrocentraleve në përroin e Lusës të fshatit Kurdari.

Pas disa orëve qëndrim përballë banorëve, automjeti i firmës 3DM, u kthye pas duke mos mundur të shkojë në kantierin e ndërtimit.