Klos, banorët e fshatrave të Suçit “pushtojnë” Bashkinë

Klos, banorët e fshatrave të Suçit “pushtojnë” Bashkinë

Rezistenca e banorëve të fshatrave të njësisë Suç për ndalimin e ndërtimit të një hidrocentrali në zallin e “Lusës” është zhvendosur këtë të hënë në Bashkinë e Klosit. Dhjetra banorë u dyndën në ambjentet e Bashkisë Klos kur kërkuan me ngulm një takim me kryetaren e bashkisë Valbona Kola, që të bëhet pezullimi i punimeve në terren nga ana e firmës.

Banorët janë të vendosur që të mos lejojnë avancimin e punimeve dhe shprehen se do ta mbrojnë me çdo çmim zallin e “Lusës”, si e vetmja alternativë që kanë ata për të vaditur tokat e tyre bujqësore.

Pas rezistencës së banorëve, kryebashkiakja Valbona Kola zhvilloi një takim me ta. Në fjalën e saj, Kola u shpreh se vendimet për ndërtimin e HEC-eve janë marrë nga ish-kryebashkiaku i Klosit, Basir Çupa, ndërsa u shpreh e gatshme të jetë në mbështetje të banorëve.

Nga ana tjetër, banorët i kërkuan kryebashkiakes Kola mbështetje në mbrojtje të kësaj kauze.

Pas këtij takimi të banorëve të fshatrave të njësisë Suç për ndalimin e ndërtimit të një hidrocentrali në zallin e “Lusës”, deklaruan se do të vijojnë betejën e tyre si në terren edhe në rrugë ligjore..