Rikonstruksioni i gjimnazit “Shaban Çollaku” në qytetin e Klosit ka bërë që gjimnazistët ta zhvillojnë mësimin pasdite në shkollën 9-vjeçare “Tahir Hoxha”. Mirëpo ky është një problem shumë i madh për qindra gjimnazistët që vijnë nga fshatrat e Klosit pasi duhet të kthehen në shtëpi natën.

Pikërisht kjo është arsyeja që banorët e fshatit Unjate në Klos kanë ngritur alarmin tek autoritetet pasi fëmijët po ju rrezikohen nga kafshët e egra gjatë rrugës për në shtëpi. Ata thonë se në rrugën që duhet të ndjekin fëmijët janë parë kohët e fundit kafshë të egra si Ariu i murrmë, duke vënë në rrezik jetën e fëmijëve.

Për shkak të mungesës së rrugës, furgoni i transportit i lë këta fëmijë shumë larg banesës, ku pasi zbresin prej tij duhet të ecin në këmbë edhe rreth 1 orë mes maleve.