Klos, banesa shkrumbohet nga flakët, 11 anëtarët e familjes Musta në qiell të hapur

Klos, banesa shkrumbohet nga flakët, 11 anëtarët e familjes Musta në qiell të hapur

Banesa e familjes Musta, nga fshati Shkallë i Njësisë Administrative Xibër në Bashkinë Klos, është shkrumbuar totalisht nga flakët, mbrëmjen e së martës. Zjarri është aktivizuar rreth orës 19 e 20 minuta dhe për pak kohë ka përfshirë të gjithë banesën. Fatmirësisht të gjithë anëtarët e familjes kanë mundur të dalin jashtë pa pësuar lëndime. Ndërkohë, menjëherë në vendin e ngjarjes ka mbërritur zjarrfikësja e Bashkisë së Klosit e më pas ajo e Bulqizës, të cilët kanë arritur të neutralizojnë zjarrin për të mos u përhapur në banesat të tjera ngjitur. Në objektin dykatësh banonin dy kurorë familjare, ajo e Lirim dhe Behar Mustës. Njëri nga kryefamiljarët Behar Musta, mjaft i pikëlluar, tregon se ka qenë një fëmijë i vogël i cili i ka lajmëruar për zjarrin i cili kishte nisur në katin e dytë të banesës. Ai bën apel për ndihmë pasi në këtë kohë nuk kanë ku të qëndrojë sepse gjithçka që kishin është djegur nga zjarri.

Ende nuk dihen shkaqet e rënies së zjarrit, ndërsa grupi hetimor, i cili ishte në vendin e ngjarjes, ka nisur hetimet. Paraprakisht dyshohet të ketë qenë një shkëndijë elektrike ajo që çoi ndezjen e zjarrit në katin e dytë të banesës, pasi të gjithë anëtarët në atë moment ndodheshin në katin e parë të saj.