
Pas një paraqitjeje futbollistike shumë të kënaqshme gjatë vitit që lamë pas, Klub Futboll Bulqiza për herë të parë pas viteve 90, është ngjitur zyrtarisht në kategorinë e dytë.
Në lidhje me këtë event, Bashkia Bulqizë organizoi një ceremoni të posaçme, ku ndër të tjera u shpërndanë medaljet për lojtarët e skuadrës, një kupë simbolike për Klub Futboll Bulqiza dhe certifikata mirënjohjeje nga Bashkia për persona që kanë kontribuar në rrugëtimin e suksesshëm të skuadrës.
Në ceremoninë e zhvilluar në mjediset e Bashkisë nën masa të kujdesshme ndaj pandemisë COVID-19, kryebashkiaku Lefter Alla në fjalën e tij renditi edhe arsyet kryesore të mbështetjes që ka treguar pushteti vendor ndaj futbollit bulqizak gjatë vitit të fundit
Në fund të ceremonisë, Kryetari i Bashkisë Bulqizë Lefter Alla dhe Kryetari i Këshillit Bashkiak Gëzim Xhafa shpërndanë medaljet për lojtarët e skuadrës, si edhe certifikat e mirënjohjes për personat që kanë kontribuar në ngjitjen e Klub Futboll Bulqiza në kategorinë e dytë të kampionatit futbollistik shqiptar.