Këshilli i Imunitetit Mblidhet Sot për Ballukun: Kërkesa e SPAK në Fokus

Këshilli i Imunitetit Mblidhet Sot për Ballukun: Kërkesa e SPAK në Fokus

Këshilli i Imunitetit do të mblidhet sot për të trajtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Vendimi për mbledhjen e Këshillit të Imunitetit vjen disa ditë pasi Komisioni Europian i kërkoi Kuvendit të trajtojë pa vonesa kërkesën e SPAK.

Heqja e imunitetit nga Kuvendi do t’i hapte rrugë masave të sigurisë ndaj Ballukut, qoftë ky arrest me burg, në shtëpi apo edhe kontroll banese.

Anëtarët e Këshillit mblidhen pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e qeverisë për pezullimin e masës së GJKKO që shkarkoi nga funksionet publike zëvendëskryeministren Belinda Balluku.

Mbetet për t’u parë nëse Këshilli i Mandateve, drejtuar nga Niko Peleshi, do ta marrë në shqyrtim kërkesën e Prokurorisë së Posaçme.

Akuzat Ndaj Ballukut:

Numri dy i qeverisë është e pandehur për veprën penale “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, në lidhje me tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe është nën hetim për tenderin e lotit 4 të Unazës së Madhe.

SPAK njoftoi se po e heton Belinda Ballukun edhe për disa procedura të tjera, çka e rëndon ndjeshëm pozitën e saj përballë drejtësisë.

“Shtetasja Belinda Balluku ka marrë cilësinë e personit nën hetim për dyshimin e kryerjes së të njëjtës vepër penale për shtatë procedura të tjera prokurimi me objekt:

  • Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punëve Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT;
  • Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2;
  • Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana;
  • Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4;
  • Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5;
  • Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6;
  • Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7,” thuhet në kërkesën e SPAK.