Këshilli Bashkiak Mat miraton projekt-buxhetin e vitit 2022

0

Këshilli i Bashkisë së Matit është mbledhur për të fundit herë për vitin 2021 ku diskutoi dhe miratoi një sërë pikash në rendin e ditës, përfshirë projekt-buxhetin e vitit 2022.

Këshilli e nisi mbledhjen me plotësimin e një vakance në radhët e këshilltareve ku pas dorëheqjes së këshilltares Sulltane Kuka detyrën e mori këshilltarja në radhë Arendina Gasa. Më pas këshilli miratoi fondin 6% të ndihmës ekonomike për muajin Nëntor. Në pikën e tretë të rendit të ditës, këshilltarët miratuan projekt-vendimin e numrit të përgjithshëm të punonjësve të bashkisë Mat për vitin 2022, i cili ishte kthyer nga prefekti pasi duhet të ishte miratuar në të njëjtën ditë me nivelin e pagave për vitin e ardhshëm. Këshilltarët e pranishëm kaluan unanimisht këto dy pika, për të vijuar më pas me projekt-vendimet e kalendarit buxhetor të projekt-buxhetit afatmesëm dhe buxhetin vjetor 2023 si dhe tavanet përfundimtarë të projektbuxhetit afatmesëm 2022 – 2024. Në pikën e shtatë të rëndit të ditës këshilltarët miratuan një shtesë në buxhetin e këtij viti. Pika e tetë e mbledhjes së ditës së sotme ishte projekt-buxheti i vitit 2022. Ishte drejtori Ekonomik, Dorian Rruci i cili bëri prezantimin e projektit i cili është hartuar pas dëgjesave të zhvilluara me banorët në të 8 njësitë administrative të Bashkisë së Matit. Këshilltarët kërkuan më shumë informacion në lidhje me detajimin e projekt-buxhetit, në ndarjen e tij për investime e shërbime. Pas shumë diskutimeve këshilltarët e pranishëm vendosën miratimin e projekt-vendimit të paraqitur nga Drejtoria Ekonomike. Për të hyrë në fuqi, vendimi do të konfirmohet edhe nga institucioni i prefektit të Qarkut Dibër e më pas do të nisë zbatimi i tij që në muajin Janar të vitit të ardhshëm.

Këshilltarët e pranishëm në këtë mbledhje miratuan gjithashtu edhe Projekt – Vendimin për dhënien në perdorim /heqje nga fondi pyjor e kullosor të një sipërfaqeje në pronësi të Bashkisë Mat për ndërtimin e HEC BUNARI, subjekti “MATA” sh.p.k, projekt – Vendimin për një shtesë në VKB Nr.25 datë 03.03.2020 “ Për miratimin e linjave të mësuesve dhe nxënësve që punojnë jashtë vendbanimit”, projekt – vendimin për  një shtesë në VKB Nr.113 datë 05.10.2020 “ për miratimin e ndihmës financiare për fëmijët e familjeve në nevojë  për fshatrat që nuk kanë shkolle 9 –vjeçare”, projekt – vendimin e rishqyrtimit të bursave për nxënësit në konvikt, dhe projekt – vendimin për dhënien e bursave për nxënësit e Arsimit Parauniversitar.