Këshilli Bashkiak Mat i thotë JO rritjes së çmimit të ujit të pijshëm

Këshilli Bashkiak Mat i thotë JO rritjes së çmimit të ujit të pijshëm

 Këshilli i Bashkisë së Matit është mbledhur këtë të enjte në mbledhjen e radhës ku u diskutuan disa pika në rendin e ditës.

Pasi miratuan në parim rendin e ditës, këshilltarët nisën shqyrtimin e pikave një e nga një. Këshilltarët e pranishëm në këtë mbledhje miratuan fondin 6% të ndihmës ekonomike për muajin Shtator. Më pas këshilltarët e pranishëm miratuan projekt-vendimin për ndihmës financiare për fëmijët të cilët frekuentojnë arsimin parauniversitar në njësitë administrative të Bashkisë Mat. Pikat e tjera që u miratuan ishin mbështetje financiare për familjet që kanë pësuar dëm nga djegia e banesave nga zjarri që përfshiu disa fshatra të Njësisë Administrative Ulëz.

Sakaq, pika që mori më shumë kohë dhe debate ishte ajo mbi dhënie mendimi për ndryshimin e nivelit të tarifave për shërbim furnizimi me ujë të pijshëm dhe largimin e përpunimin e ujërave të ndotura. Këshilltarët e pranishëm në këtë mbledhje kundërshtuan unanimisht propozimin e bërë nga Drejtoria Rajonale e Ujësjellës Kanalizimeve Dibër. Këshilltarët e argumentuan këtë me papajtueshmëri në arsyetimin e këtij propozimi. Ata kërkuan më shumë informacion nga kjo drejtori, kërkuan diferencim për katër degët sipas performancës dhe eleminimin e humbjeve në rrjet, çka sipas tyre do të sillte direkt rritje të ardhurash, pa qenë nevoja e rritjes së çmimit. Unanimisht këshilli refuzoi projekt-propozimin e UKD dhe të gjitha vërejtjet do t’i bashkangjiten në një relacion shoqërues.