Prej gjashtë ditësh vijojnë kërkimet për gjejtjen e 29-vjeçarit Ardit Beshiri, nga fshati Shëngjun i Klosit, që dyshohet se humbi jetën teksa po punonte me një mjet ekskavator në një stog rëre pranë një fabrike përpunimi kromi në Qaf Burrel. Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu tha se kërkimet po vijojnë nga disa grupe në terren përfshirë edhe forcat e sigurisë së Kosovës të cilat i janë bashkangjitur operacionit ditën e Mërkurë si dhe shumë banorë të zonës së Klosit. Nga ana tjetër, Prefekti Shehu tha se kërkimet janë përqendruar në disa pika ku janë gjetur pjesë të ekskavatorit dhe të rrobave që dyshohet të jenë të 29-vjeçarit Ardit Beshiri.
Ngjarja e rëndë ndodhi të shtunën e 3 Majit, teksa 29-vjeçari Ardit Beshiri ka qenë duke punuar në zonën ku depozitoheshin mbetjet e gurta që dilnin nga përpunimi i mineralit të kromit. Ende nuk dihen shkaqet, ndërsa dyshohet se një nga rezervuaret e ujit ka shpërthyer, duke e rrëmbyer të riun bashkë me mjetin ekskavator.