Kanali vaditës i Klosit arrin pas 28 vitesh në Zenisht

0

Pas rreth 28 vitesh kanali vaditës i Klosit është rikthyer në funksion edhe për banorët e fshatit Zenisht. Vitin e kaluar kjo vepër vaditëse ishte deri në mes të fshatit Shoshaj ndërsa këtë vit ka arritur në Zenisht. Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Durrës nëpërmjet sektorit të Matit në Bashkëpunim me Bashkinë Mat, po punojnë që kjo vepër vaditëse të jetë në funksion edhe për banorët e fshatit Zenisht në Njësinë Administrative Lis. Aktualisht uji vaditës ka arritur deri tek shkolla e Zenishtit. Skënder Hoxha, banorë i zonës thotë se uji vaditës nëpërmjet kanalit të Klosit është rikthyer aty pas 28 vitesh. Ndërkohë nga ana e Bashkisë së Matit po punohet për rihapjen e kanalit që përfshi gjithë fshatin Zenisht. Aktualisht puna është përqendruar në dy grupe ku njëri po bën pastrimin e kanalit i cili është i shtruar dhe i veshur me pllaka betoni, ndërsa një mjet po punon për rindërtimin e gjurmës së kësaj vepre vaditëse që ka qenë e prishur prej rreth 3 dekadash. Rikthimi i kësaj vepre vaditëse në fshatrat Shoshaj e Zenisht në Bashkinë Mat rifut nën vaditje qindra hektarë tokë bujqësore që deri sot kishin mbetur djerr për shkak të mungesës së vaditjes.