Kampionati i Volejbollit në shkolla

Kampionati i Volejbollit në shkolla

Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar në Bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Volejbollit, Ministrinë e Sportit dhe Rinisë si dhe me të gjitha shkollat 9-të vjeçare e të mesme në mbarë vendin ka nisur zhvillimin e edicionit të katërt të kampionatit të ndeshjeve të ekipeve sportive në shkolla. 226 ekipe nga shkollat 9-vjeçare, mes tyre 114 ekipe vajza dhe 112 ekipe djem janë përballur me njëra-tjetrën. Edhe në qarkun Dibër është zhvilluar gara mes ekipeve të shkollave ku të premten e 13 Marsit u përballën në finale katër ekipe sportive. Në ambjentet e pallatit të sportit “Ferit Hysa” të qytetit të Burrelit u luajtën finalet brenda qarkut Dibër mes ekipeve të gjimnazit “Pjetër Budi” dhe gjimnazit “Said Najdeni” të Peshkopisë për vajza dhe finalja tjetër mes ekipit të gjimnazit “28 Nëntori” të qytetit të Burrelit dhe ekipit të gjimnazit “Said Najdeni” të Peshkopisë për djem. Në garën mes ekipeve vajza në volejboll, fitues u shpall ekipi i gjimnazit “Said Najdeni” Peshkopi pasi fituan 2 me 1 sete ndaj ekipit të vajzave të gjimnazit “Pjetër Budi”, Burrel. Ndërkohë, për ekipet djem në volejboll fitues u shpall ekipi i gjimnazit “28 Nëntori”, Burrel, pasi fitoi përballë ekipit të djemve të gjimnazit “Said Najdeni” me rezultatin 2 me 0. Të dy ekipet kampione brenda qarkut si për vajza ashtu edhe për djem, do të luajnë në fazën çerekfinale në Tiranë, ku do të përballen me ekipet fituese në qarqet e tjera të vendit tonë. Organizimi i këtij kampionati sportiv brenda qarkut është bërë nga koordinatorët e KOKSH në Bashkitë Mat e Klos, Ronaldo Cevani, mësuesit e edukimit fizik etj.