Kamerat e monitorimit, simboli i dështimit të mbrojtjes së pyjeve
Një nga dështimet më të mëdha dhe me kosto të lartë financiare në mbrojtjen e pyjeve është ndërtimi i sistemit të monitorimit. 10 vite më parë do të ndërmerrej kjo iniciativë mes Ministrisë së Mjedisit dhe asaj të Brendshme për të kapur keqbërësit në pyjet e vendit tonë.
Por për pak vite ato dolën totalisht jashtë funksionit. Diku u çmontuan nga persona të panjohur, diku tjetër qëndruan siç ishin, por në shumë raste u vodhën bashkë me kullën prej hekuri. Janë të pakta ata kamera monitorimi që vijojnë të jenë në këmbë, siç është rasti i kësaj kulle monitorimi në Muhurr të Dibrës që monitoronte lëvizjet për prerjet e paligjshme në zonën pyjore të Selishtës apo Lurës.
Kjo kullë e vetme nuk është vetëm simbol i dështimit të një projekti, por edhe i dëmit ekonomik prej 1.2 milion euro që i kushtuan taksapaguesve shqiptar.
Në të gjithë vendin u ndërtuan 28 kulla monitorimi, të pajisura me kamera, por ato nuk arritën të kapin asnjë “abuzues”. Të dhënat zyrtare tregojnë se rastet e paligjshmërisë së prerjes së pyjeve, të konstatuara, si në rrugë, ashtu edhe në fondet pyjore, kanë qenë thuajse të njëjta me ato të viteve para se të vendoseshin kamerat.
Sipas ekspertëve në Shqipëri priten rreth 2.5 milionë m3 lëndë drusore në vit, ndërsa rritja vjetore e pyjeve është rreth 1.4 milionë m3/vit. Pra, presim rreth 1.1 milionë m3 dru më shumë nga sa është rritja vjetore natyrore e pyjeve.