Kabineti i Ramës Nën Rikonstruksion: Shkarkime Dhe Përplasje Me Drejtësinë
Kabineti i Ramës Nën Rikonstruksion: Shkarkime Dhe Përplasje Me Drejtësinë
Kabineti i Ramës Nën Rikonstruksion: Shkarkime Dhe Përplasje Me Drejtësinë
Në një mbledhje maratonë të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të enjten mbrëma, Kryeministri Edi Rama ka vendosur shkarkimin e Belinda Ballukut nga postet e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë. Ky vendim vjen pas një periudhe të gjatë betejash për mbrojtjen e saj përballë hetimit të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera.
Vendin e Ballukut do ta zëvendësojë Albana Koçiu në postin e zëvendëskryeministres, ndërkohë që portofoli i Infrastrukturës dhe Energjisë do t'i besohet Enea Karakaçit, ish-vartës i Ballukut dhe së fundmi drejtor i OSHEE.
Ndryshime të Gjëra në Kabinet
Shkarkimi i Ballukut u shoqërua me ndryshime thelbësore në qeveri. Spikasin largimi i Elisa Spiropalit nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Pirro Vëngut nga Ministria e Mbrojtjes.
- Ferit Hoxha, ish-ambasador i Shqipërisë në OKB, do të marrë postin e Ministrit të Punëve të Jashtme.
- Ermal Nufi, zëvendëssekretar i Përgjithshëm në Këshillin e Ministrave, do të drejtojë Ministrinë e Mbrojtjes.
Lëvizje të tjera përfshijnë: Besfort Lamallarin, i cili zhvendoset nga Ministria e Drejtësisë në atë të Brendshme si dhe Toni Gogun, i cili merr postin e mbetur vakant të Ministrit të Drejtësisë. Deputetja e re, Erjona Ismaili do të zëvendësojë Gogun si Ministre për Parlamentin.
Tension me Sisteminin e Drejtësisë
Këto ndryshime në kabinetin qeveritar vijnë pas një periudhe tensioni dhe përplasjesh mes Kryeministrit Edi Rama dhe sistemit të ri të drejtësisë. Shkak janë bërë hetimet e profilit të lartë ndaj ish-zëvendëskryeministres Balluku, e akuzuar nga SPAK për shkelje të përsëritura të procedurave të prokurimit në tendera me vlerë qindra milionë euro, si dhe ndaj drejtoreshës së Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj.
Në një fjalim të gjatë para grupit parlamentar, Kryeministri Rama akuzoi prokurorët e SPAK se po abuzonin me fletë-thirrjet dhe arrestimet, si dhe gjykatat se po ndërhynin në pavarësinë e pushtetit ekzekutiv. Me një retorikë të ndezur kundër drejtësisë, Rama theksoi se vendi nuk mund të paguajë çmimin ku "antikorrupsioni është bërë një kurë më e dëmshme se sa vetë sëmundja e korrupsionit". Ai mbrojti publikisht edhe Karçanajn, zyrtare e akuzuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal në paracaktimin e tenderave të AKSHI.
Rama paralajmëroi gjithashtu ndryshime të rëndësishme në Kodin Penal dhe atë të Procedurës Penale. Në këtë kontekst, ai ka depozituar në Kuvend një projektligj për ndryshimin e nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale, me qëllim mbrojtjen e kabinetit të tij nga masa e pezullimit të detyrës.