
Shkolla fillore “Ramiz Manjani” në fshatin Homesh të Njësisë Administrative Shupenzë në Bashkinë e Bulqizës, prej një vitit është jashtë funksioni. Një vendim i autoriteteve vendore një vit më parë, bëri që shkolla të mbyllej dhe të gjithë fëmijët të transferoheshin në shkollën 9-të vjeçare në Qendër të Shupenzës. Prindërit e fëmijëve por edhe banorë të tjerë, e konsiderojnë të padrejtë mbylljen e shkollës. Ata shprehen se zyra Arsimore Bulqizë nuk jua ka siguruar transportin, pasi furgoni që kanë vënë në dispozicion nuk jua merr të gjithë fëmijët. Ata kërkojnë që furgoni të vijë t’i marrë fëmijët në qendër të fshatit ku është aktualisht shkolla, pasi deri në rrugën nacionale është shumë larg, sidomos gjatë stinës së dimrit. Banorët shprehen se shkolla nuk duhej të ishte mbyllur pasi ka ende fëmijë mjaftueshëm për ta mbajtur hapur.
Shqetësimi më i madh i prindërve të Homeshit është siguria e fëmijëve që shkojnë në Shupenzë si dhe transporti i tyre.