Rekamë

  Dy familje mbetën në qiell të hapur në Krastë të Martaneshit si pasojë e një zjarri të rënë në fund të muajit Janar. Familjet Elezi humbën gjithçka që kishin në banesa për shkak se flakët u përhapën me shpejtësi dhe dogjën gjithçka kishin brenda. Ngjarja mund të kishte përfunduar në tragjedi por për fat të mirë të gjithë anëtarët e dy familjeve arritën të dilnin nga banesat para se flakët të përhapeshin kudo. Por prej tre javësh familjet e Dali e Sefer Elezit kanë mbetur në mëshirë të fatit. Zelie Elezi tregon momentet tragjike të rënies së zjarrit si dhe i bën apel Bashkisë Bulqizë ta ndihmojë për të rikthyer banesën ashtu siç ishte më parë.

Sefer Elezi thotë se ata e patën të pamundur të shuanin flakët për shkak se u përhapën me shpejtësi. Zjarri i rënë në orët e para të ditës, arriti të shkrumbonte çdo gjë që ata kishin ndërtuar me mund e sakrificë. Seferi thotë se kanë shkuar ekspertët e bashkisë, por nuk kanë marrë asnjë ndihmë deri tani.

Matilda thotë se në një moment ka dëgjuar aromën e tymit dhe pa u menduar dy herë ka marrë djalin e vogël dhe ka dalë jashtë.

Paraprakisht dyshohet se zjarri ka ardhur si rezultat i një shkëndije elektrike, ndërsa vijojnë hetimet. Nga ana tjetër, të dyja familjet sot në këto ditë të ftohta dimri janë pa një strehë, ndaj dhe ju bëjnë apel të gjithëve për t’i ndihmuar.

Enver Doçi