Rekamë

Situata e krijuar nga Covid-19 ka vënë në vështirësi shumë familje shqiptare, por ka nga ata familje që kanë qenë në situatë të tillë prej shumë vitesh. Kjo është familja Menga nga fshati Stojan në Njësinë Administrative Ulëz në Bashkinë e Matit. 6 anëtarët e kësaj familjeje jetojnë në kushte tmerrësisht të vështira ekonomike. E vetmja e ardhur ekonomike për ta është gjysma e pensionit prej 3500 lekësh që merr e zonja e shtëpisë Pashke pas vdekjes së bashkëshortit. Por si të mos mjaftonte kjo, Pashke Menga prej vitesh është e paralizuar dhe qëndron në shtrat. Ajo tregon vështirësitë e jetesës pas vdekjes së bashkëshortit. Banesa në të cilën jetojnë 6 anëtarët është në prag të shembjes. Ndërkohë nusja e djalit të Pashkes, Sidorela thotë se kushtet e jetesës janë shumë të vështira pasi aq të ardhura sa kanë nga gjysma e pensionit dhe ndihma ekonomike, nuk dalin as për ilaçe për vjehrrën e saj. Sidorela është ajo që kujdeset për të pasi vjehrra e ka të pamundur të lëvizë pa ndihmën e saj. Ajo apelon për ndihmë pasi jetesa e tyre është shumë e vështirë. Banesa e familjes Menga është e ndërtuar prej dërrasash shumë dekada më parë dhe po degradon dita ditës, duke vënë në rrezik të madh edhe jetën e 6 anëtarëve që jetojnë në të.