Në kuadër të “Javës Olimpike” gjatë 3 ditëve janë zhvilluar veprimtari sportive ku u angazhuan rrjeti i mësuesve të edukimit fizik, drejtues shkollash etj. Kjo veprimtari u finalizua këtë të Enjte në stadiumin “Liri Ballabani” të qytetit të Burrelit. Ky aktivitet nisi me ndezjen e pishtarit si simbol i lojrave olimpike i ardhur që nga lashtësia deri në ditët tona, duke përcjellë mesazhe se sporti edukon shpirtin e një konkurence pozitive, është gjithëpërfshirës, praktik dhe përveç zhvillimit fizik dhe mendor të njeriut, e mban atë larg veseve, duke edukuar tek të gjithë ndjenjën e një modeli të mirë.
E pranishmë në këtë aktivitet, Drejtoresha e Zyrës Vendore Arsimore Mat, Shpresa Tusha tha se këto aktivitete ndihmojnë të largoheni nga veset dhe monotonia e përditshme.
Pas një valleje me motive popullore, nxënësit e shkollave 9 vjeçare e të mesme nga e gjithë Bashkia Mat zhvilluan gara në disiplina të ndryshme sportive.
Shkallët e stadiumit “Liri Ballabani” të qytetit të Burrelit ishin mbushur plot me tifoz, por këtë herë jo për skuadrën e futbollit por nga nxënës, mësues e prindër për të ndjekur garat e javës olimpike.