Pas disa kronikave sensibilizuese në lidhjen me problematikat që paraqiste ura e fshatit Dom në Njësinë Administrative Gurrë në Bashkinë e Klosit, kjo e fundit ka reaguar më në fund.
Specialistët e kësaj bashkie kanë bërë të mundur vendosjen e fashetave shtrënguese të kavove të urës tip pasarel, të cilat ishin bërë makth për të gjithë ata që e përdornin urën për të kaluar në anën tjetër të lumit Mat.
Përfaqësues të Bashkisë Klos, thanë se vetëm pasi janë gjetur fashetat shtrënguese është bërë e mundur vendosja e tyre. Paralelisht me këtë është bërë e mundur edhe vendosja e disa trarëve mbi shtresën e urës dhe zëvendësimin e disa të dëmtuarave.
Mbi urën e Domit kalojnë çdo ditë qindra banorë të fshatrave Dom e ZallRripë si e vetmja mënyrë që kanë për të dalë në rrugën nacionale. Shpeshherë banorët kanë kërkuar që të plotësohet ndërtimi i urës së trenit, por për këtë ende nuk është vendosur, ndaj alternativa e vetme mbetet përdorimi i urës pasarel.