Donald Mëllugja ishte një nga afrimet e Partizanit në këtë merkato të janarit, teksa mesfushori la Bylisin për të luajtur me të kuqtë. Një mundësi të cilën nuk mund ta refuzonte, pasi siç shprehet Mëllugja në një intervistë për RTSH Sport, e ka pasur ëndërr të veshë fanellën e Partizanit. Ndër të tjera, Mëllugja thekson se konkurrenca i bën mirë ndërsa rreth përballjes me ish-ekipin në këtë javë të Superiores thotë se fusha e Ballshit është e nxehtë.
Transferimi te Partizani- “E kemi pasur ëndërr që fëmijë që të afrohemi të një ekip si Partizani, që është absolutisht ekipi më i mirë në Shqipëri. Nuk mund t’i përballosh Partizanit, e kisha ëndërr që fëmijë”.
Konkurrenca- “Konkurrenca i bën mirë çdo lojtari dhe jo vetëm mua, besoj do të ketë minuta për të gjithë. Të gjithë jemi për një qëllim, nuk ka pse i druhem apo diçka tjetër. Do të luajmë dhe kush do ta meritojë do të jetë në fushë”.
Përballja me ish-ekipin, Bylis- “Një emocion i veçantë sepse aty kam kaluar shumë momente të mira, aty u njoha si lojtar. Kam shumë respekt për ekipin e Ballshit sepse ai ekip më bëri ky që jam. Por, besoj që është një transfertë shumë e vështirë, fushë shumë e nxehtë dhe duhet ta vlerësojmë maksimalisht”, u shpreh Mëllugja.