Investimet amerikane në Shqipëri, nga Skavica te Exxon në Vlorë

0
17

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim deklaroi sot se, investimet amerikane në Shqipëri kanë pasur rritje, duke evidentuar kompaninë  Bechtel që do të ndërtojë hidrocentralin e Skavicës dhe Exxon do të sjellë gaz të lëngshëm natyror në Vlorë.

Në një intervistë televizive Kim u shpreh se “kam pasur tri prioritete këtu: demokracia, mbrojtja dhe biznesi. Mendoj që kemi bërë përparim të mirë në të tri frontet. Tek demokracia, siç e shihni, po bëjmë përparim me reformën në drejtësi dhe forcimin e institucioneve të demokracisë dhe e di që do të flasim edhe më vonë për këtë”.

Për investimet amerikane në Shqipëri Kim theksoi se, “vitin e kaluar, kishim dy kompani shumë të mëdha amerikane që kanë filluar projekte këtu. Njëra është Bechtel që do të merret me hidrocentralin e Skavicës. Kjo është në fazën 1, atë të eksplorimit. Nëse dhe kur projekti të mbarojë, do të jetë kontrata më e madhe tregtare amerikane, jo vetëm në Shqipëri, por në rajon. Bashkë me këtë, një tjetër kompani e madhe amerikane e quajtur Exxon do të sjellë gaz të lëngshëm natyror në Vlorë, tek ai që është termocentral dhe do të konvertohet. Përtej kësaj, ka kompani të tjera amerikane që kanë investuar këtu. Pra, aktualisht, jemi në një trajektore pozitive dhe, në fakt, po shihja shifrat dhe vura re që për tregtinë, vitin e kaluar arritëm 162 milionë dollarë, një rritje 47% krahasuar me vitin e mëparshëm dhe për FDI, kaluam nga 89 milionë në 151 milionë. Nuk janë shifra shumë të mëdha, por lajmi i mirë është që mendoj se jemi në një trajektore për të arritur shifra gjithnjë e më të mëdha me kalimin e viteve”.

Në lidhje me perspektivën për të ardhmen, Kim tha se, “perspektiva është shumë pozitive dhe e them sepse, së pari, Shqipëria ka një forcë punëtore të mrekullueshme, të re, çka është avantazh në rajon; së dyti, Shqipëria po punon mirë me fqinjët e saj. Për shembull, gjëra si Ballkani i Hapur, që synon të rrëzojë barrierat mes vendeve për ta bërë biznesin më të lehtë. Kjo do të ndihmojë sepse Shqipëria është vend me 2.8 milionë banorë, një popullsi jo shumë e madhe, pra jo treg shumë i madh. Por kur e kombinon me të gjithë të tjerët në rajon, prandaj ka rendësi që Ballkani i Hapur të mbetet i hapur vërtet për të gjithë gjashtë vendet. Kur i bën bashkë, bëhet një treg ku kompanitë amerikane dhe të tjerët do duan të investojnë, do duan të vijnë. Kjo është pozitive. Mendoj që do të më pyesësh cilat janë mangësitë, pengesat”.

Sa i përket klimës së biznesit në vendin tone, Kim tha se, “ka potencial të jashtëzakonshëm këtu në Shqipëri, por ka pengesa dhe qeveria shqiptare duhet të bëjë disa gjëra për ta bërë mjedisin këtu më mirëseardhës. Një nga këto gjëra është t’i bëjë rregullat më racionale, më të qarta dhe më transparente. Kjo është një gjë. Tjetra – ku është lidhja midis reformës në drejtësi dhe biznesit – duhet të kemi gjykata të pastra me qëllim që bizneset amerikane të vendosin të investojnë. Ja çfarë shohin bizneset amerikane, çfarë shohin kompanitë kudo në botë kur shohin tregje të reja: a ka treg? Shohin madhësinë e tregut, sa fitim mund të kenë. Shohin nëse rregullat janë të qarta. A mund të nxjerrin fitim duke respektuar këto rregulla? Dhe së fundi, shohin rastin më të keq: nëse ka një mosmarrëveshje për një kontratë, a ka një sistem gjykatash ku mund të marrin një vendim të drejtë, racional? Në këtë moment, përgjigja është: ndoshta. Po kjo është pse theksoj se pasi Shqipëria të ketë gjykata të pastra, pasi investuesit dhe publiku të kenë besimin se vendimet bazohen në ligj dhe jo në ngacmime apo ryshfete siç ndodh tepër shpesh, atëherë do të shihni shumë më tepër investime këtu në Shqipëri. Mendoj se Shqipëria është në një trajektore për t’u bërë vend normal por ka shumë punë përpara”.