Intensifikohen kërkimet për të zhdukurin Ardit Beshiri, babai apelon për gjetjen e tij

0
230

Që nga e shtuna e 3 majit, prej më shumë se 48 orësh ekipe të shumta janë në terren në kërkim të 29-vjeçarit Ardit Beshiri, nga fshatin Shëngjun i Klosit, i cili teksa ishte duke punuar në një stog fabrike të përpunimit të kromit, është rrëmbyer nga uji dhe rëra si pasojë e çarjes së një rezervuari. Me gjithë kërkimet e bëra deri tani, nuk është gjetur asnjë shenjë e 29-vjeçarit i cili dyshohet të jetë rrëmbyer nga rrjedha e fortë që u krijua si pasojë e shembjes së rezervuarit me ujë dhe rërës së prodhuar nga përpunimi i materialit të kromit. Babai i 29-vjeçarit, Nerim Beshiri ju bën apel institucioneve që të shtojnë kërkimet me metoda të specializuara, pasi kërkimet në këmbë janë të paefektshme për shkak të terrenit të thepisur malor dhe materialit që është shpërndarë kudo. Nerimi lutet që kërkimet të rezultojnë të suksesshme sa për t’i gjetur të paktën një shenjë të djalit në mënyrë që të ketë mundësinë për ta kujtuar.

Ndërkohë, në vendin e ngjarjes ishte edhe prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu, i cili tha se strukturat po bëjnë maksimumin për të gjetur të riun që dyshohet se u rrëmbye nga rrjedha e ujit dhe rërës mesditën e së shtunës.

  Ekipeve të kërkimit në terren i është shtuar edhe një ekip i specializuar, i cili po kontrollon terrenin nëpërmjet një aparture që identifikon njerëz nën tokë.