Infrastrukturë / Ura e Matit – Rrëshen, në mëshirë të fatit edhe pse me mirëmbajtës

0
40

  Aksi rrugor Ura e Matit – Rrëshen me gjatësi 25.8 kilometra është thuajse totalisht i lënë në mëshirë të fatit. Edhe pse për këtë rrugë nacionale janë lëvruar qindra million lekë me kontratën e Autoritetit Rrugor Shqiptar, rruga aktualisht është thuajse e pakalueshme. Që nga fshati Shoshaj e deri në Rrëshen, problemet e kësaj rruge janë të shumta me gropa të mëdha, gurë të rënë e baltë që zbret nga skarpatat anësore. Reshjet e shirave kanë nxjerrë më shumë në pah problemin me gropa të mbushura me ujë që nuk dihet thellësia e tyre. Jo vetëm automjetet e vogëla por edhe ato të tonazhit të rëndë e kanë të vështirë qarkullimin. Drejtuesit e mjeteve thonë se asgjë nuk ka ndryshuar edhe pse tashmë dihet që kjo rrugë e ka një operator që duhet të kujdeset për të. Gjendja e rrugës vijon të jetë e njëjtë, pasi vetëm në ditët e para është ndërhyrë formalisht dhe gjithçka është rikthyer si më parë.

Një tjetër problem shqetësues mbetet edhe ura në kufirin ndarës mes Matit dhe Mirditës. Kjo urë po gërryhet në të dy anët e saj që jo vetëm kanë ngushtuar hapsirën për kalimin e automjeteve, por edhe i rrezikon këta të fundit si pasojë e hapsirës boshe poshtë asfaltit.