Përgjatë gjithë aksit rrugor nga Ura e Fshatit Fshat e deri tek Ura e Lusës në kufirin ndarës midis dy bashkive janë hedhur mbetje inerte. Banorë apo subjekte që kryejnë punime në ndërtesat e tyre, nuk lodhen aspak për t’i dërguar këto inerte në vende të caktuara, apo qoftë larg rrugës nacionale. Ata i shkarkojnë buzë rrugës, duke shkaktuar një ndotje të madhe. Ky pirg me mbetje inerte ndodhet në afërsi të ish pazarit të vjetër.
Një tjetër pikë e depozitimit të këtyre mbetjeve është edhe në afërsi të Urës së Balës. Edhe këtu mbetjet janë nga më të ndryshmet por në sasi më të mëdha, janë ato inerte. Distanca me rrugën edhe në këtë pikë nuk është shumë e largët pasi mund të shihen qartë nga çdo përdorues i rrugës.
Në fshatin Bërshi, pirgu me mbetje inerte vijon të rritet e askush nuk e ka marrë mundimin për t’i larguar. Në këtë pikë hidhen edhe mbeturinat të tjera të plastikës. Zona është tërësisht e ndotur dhe mban një imazh të keq për të gjithë ata që kalojnë në rrugën nacionale.
Një tjetër pikë e venddepozitimit të mbetjeve është edhe ish gatrri në afërsi të Urës së Lusës. Edhe këtu hidhen mbeturina inerte të cilat janë shpërndarë në të gjithë zonën.