Inertet “pushtojnë” lagjen “Gjok Doçi” në Peshkopi

0

  Përqendrimi i fushatës në zonat rurale ka lënë pasdore lagjet e brendshme të qytetit të Peshkopisë sa i përket pastrimit të territorit nga mbetjet urbane dhe inerte. Lagjja “Gjok Doçi” në qytetin verilindor është e pushtuar nga inertet, ku banorët shprehen se ndodhen aty prej afro tre vitesh. 15 familje që jetojnë ngjitur me Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër e kanë pothuajse të pamundur që të shkojnë pranë banesave të tyre, pasi inertet kanë ngushtuar rrugën. Vetë banorët shprehen se këto inerte kanë dalë nga rikonstruksioni i objekteve brenda drejtorisë së policisë, ndërsa i kanë kërkuar bashkisë Dibër ndërhyrje. Por sipas tyre, edhe pse kjo situatë është e tillë prej afro tre vitesh, autoritetet nuk kanë ndërhyrë për ta zgjidhur.

  Banorët kërkojnë që kjo situatë të zgjidhet pasi janë pjesë e qytetit të Peshkopisë dhe nuk është aspak normale që infrastruktura rrugore të jetë e tillë.