INERTET NË QAF BUALL MBULOHEN ME DHERA, POR TË TJERA VIJOJNË TË HIDHEN
Pika e depozitimit të mbetjeve inerte por jo vetëm në Qafën e Buallit është sistemuar më në dund duke e mbuluar nga dhera. Pasi problemi është bërë disa herë mediatik për ndotjen e madhe mjedisore që shkaktohej aty, është ndërhyrë duke i mbuluar me dhe, por pa marrë mundimin që t’i largojë prej zonës.
Për shkak të pozicionit ku ishin hedhur, këto mbetje ishin kthyer në shqetësim serioz për banorët e fshatit Plan i Bardhë të bashkisë Klos, pasi kanë banesat poshtë.
Ata kanë kërkuar vazhdimisht që të mos lejohet hedhja e mbetjeve aty dhe të ndëshkohen të gjithë ata qytetar apo subjekte që e kanë kthyer zonën si një pikë të mirëfilltë për depozitimin e mbetjeve.
Ndonëse një pjesë e terrenit të depozitimit të mbetjeve është mbuluar nga dherat, anash duken qartë se ka ende mbetje plastike e jo vetëm që ishin hedhur më parë.
Po ashtu, mbi dherat që kanë mbuluar mbeturinat ka nisur të depozitohen të tjera mbetje inerte që dalin nga rikonstruksionet e objekteve të ndryshme, kryesisht në qytetin e Bulqizës.
Banorët i bëjnë apel autoriteteve vendore dhe mjedisore të ndalojnë këtë masakër që po shkaktohet në sy të të gjithëve, zonës mbi fshatin Plan i Bardhë.