
Hapsira tek “ish Gatrri” në lagjen Shkorsë të Suçit është kthyer në një venddepozitim mbetjesh inerte. Siç duket nga pamjet, në këtë zonë janë shkarkuar inerte që kanë dalë nga rikonstruksione të ndryshme. Nuk dihet se kush i ka hedhur ato këtu fare pranë lumit Mat apo rrugës nacionale Burrel – Klos, por pirgu vijon të shtohet dita ditës. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka marrë një nismë dy vite më parë që i gjithë territori të mos kishte mbetje të tilla përveçse në vende të përcaktuara. Nisur nga kjo në të gjithë vendin u zhvilluan disa fushata ndërgjegjësuese por edhe për pastrimin e mjedisit nga këto mbetje.
Pushteti vendor është i detyruar ligjërisht të ketë një vend të përcaktuar për hedhjen e inerteve, vend i cili miratohet nga këshilli bashkiak. Por shumë bashki ende nuk e kanë një të tillë, duke bërë që bizneset apo individët t’i hedhin mbetjet inerte në vende që krijojnë ndotje por edhe imazh të keq.
Situata këtu është problematike pasi mbetjet nuk janë vetëm inerte betoni apo materiale të tjera ndërtimi, por edhe goma makinash apo plastika të tjera.
Dritan Kurti