Është inauguruar të dielën e 1 Qershorit, në ditën ndërkombëtare të Fëmijëve, rikonstruksioni i plotë i bibliotekës publike “Pjetër Budi” Mat, në një aktivitet të veçantë, u bë rihapja zyrtarisht e këtij institucioni që do të vijojë të jetë në shërbim të dashamirësve të librit. Në ceremoninë inauguruese morën pjesë Kryetari në Detyrë i Bashkisë Mat, Myslim Zeneli, Deputeti i Zgjedhur Agron Malaj, Drejtuesja e organizatës “Vizion OJF” e cila ka financuar projektin, Suela Koçibellinj, Nënprefekti i Matit, Hasan Pasha, mësues e intelektual matjanë, shkrimtarë e poetë si dhe dashamirës të librit. Të pranishmit vizituan fillimisht mjediset e brendshme të rikonstruktuara të bibliotekës, e më pas ndoqën një historik të transformimit të këtij institucioni qoftë si objekt e qoftë në pasurimin me libra të rinj.

Kryetari në detyrë i Bashkisë Mat, Myslim Zeneli tha se tashmë të gjithë ata që do ta frekuentojnë këtë bibliotekë kanë kushte më të mira falë edhe financimit të “Vizion OJF”.
Ish-kryebashkiaku Agron Malaj, tashmë deputet i dalë nga zgjedhjet e 11 majit, tha se këto investime i shërbejnë të ardhmes. Ndërsa drejtuesja e “Vizion OJF”, Suela Koçibellinj, përçoi mesazhin se përmes edukimit bota bëhet më e bukur.
Studiuesi i mirënjohur Behar Gjoka, i pranishëm në këtë event, tha se rikonstruksioni i kësaj biblioteke tregon vëmendjen ndaj të ardhmes.