
Fëmijët e ciklit parashkollor në fshatin Frankth të Bashkisë së Matit do të kenë tashmë një godinë dhe ambjente bashkëkohore për të mësuar. Bashkia e Matit, IPA dhe fondacioni “Vizion OJF”, finalizuan investimin e ndërtimit të një godine të re për fëmijët e vegjël të këtij fshati. Këtë të Mërkurë u bë edhe inagurimi i kësaj godine e cila tashmë do të jenë në shërbim të fëmijëve të fshatit Frankth. I pranishëm në ceremoninë inauguruese ishte vetë Kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj si dhe përfaqësues të “Vizion OJF”. Fjalën e hapjes e mbajti Drejtoresha e Shkollës 9-vjeçare “Rexhep Kërtuka”, Frankth Miranda Bruçi.
Ndërkohë kryebashkiaku Agron Malaj tha se investimet nuk do të ndalen jo vetëm në sektorin e arsimit, por edhe në fusha të tjera. Ndërsa Drejtoresha Ekzekutive e “Vizion OJF”, Suela Koçibellinj, tha se investime të tilla arrihen kur bashkëpunimet janë të frytshme dhe korrekte.
Në fund të aktivitetit fëmijët që frekuentojnë këtë kopsht u futën në ambjentet e tij, ku dhe morën dhurata për festën e ndërrimit të viteve. Godina e kopshtit të Frankthit jo vetëm që është ndërtuar nga e para, por është e pajisur edhe me të gjithë mjetet e nevojshme didaktike.